Ngjarja e Torovicës, vritet speciali. Aksion disa orësh për kapjen e autorit

02/09/2016 00:00

Së bashku me kolegët e tij, efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Ardian Kodra mbërriti në Torovicë me një makinë të blinduar. Ai erdhi për të arrestuar shtetasin David Qosja , por sapo zbriti nga makina u qëllua për vdekje prej Qosjes i cili fshihej në banesë.

27-vjeçari David Qosja është i njohur në fshatin e Torovicës prej dy viteve si një person që kishte ndryshuar sjellje pas vdekjes së të vëllait. Një ngjarje ndikuese tek ai që të mbyllej në vetvete e të jetonte vetëm pasi një pjesë të familjes e kishte në Itali, por dhe të shfaqte më pas kriza depresioni.

“Ai jetonte vetëm, ka shumë mundësi të kishte rënë në depresion”, u shpreh një banor.

Por, megjithëse ngrenë supet, dy banorë ngjitur me shtëpinë e 27-vjeçarit kanë qenë të parët që i janë frikësuar një krimi të mundshëm kur kanë dëgjuar krisma armësh.

Ata kanë njoftuar Policinë e Lezhës e cila ka kërkuar mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. 27-vjeçari ka qëlluar nga kati i dytë i banesës duke lënë të vrarë në krye të detyrës Ardian Kodrën, çka solli më pas një operacion negocimi e ndërhyrjeje nga forcat e Reneas përgjatë katër orëve.

Me një zonë të evakuuar nga policia dhe të pakalueshme për askënd çfarë dëgjoheshin ishin vetëm të shtënat. Derisa në orën 18:30 autori i krimit i vendosi flakën shtëpisë së tij, duke tentuar të arratisej përmes arave. Një tentativë e cila u mbyll me arrestimin e tij.

Por ndërsa mbi 27-vjeçarin do të të rëndojë akuza e vrasjes në rrethana cilësuese që është kompetencë e Krimeve të Rënda, vrasësi i policit tha fraza kontradiktore para hetuesve.

“Qëllova me armë se donin të vinin njerëz nga mali”, është shprehur si fillim, ndërsa më pas tha se “barinjtë donin t’i shfrytëzonin kullotën”. Të dyja këto fjali që përforcojnë dyshimet paraprake për problemet e tij psikike edhe pse nuk rezulton të kishte një kartelë apo të kurohej.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel