Rama me fermerët për ujitjen dhe financimin e bujqësisë

02/09/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama lajmëroi nisjen e një projekti të ri për ujitjen e kullimin e tokave bujqësore me tubacione të mbyllura.  Zona e parë është zgjedhur Myzeqeja.

“Në këtë zonë, me bazë Divjakën, por të shtrirë në Roskovec e në një hartë të konsiderueshme në Qarkun e Fierit, ne fillojmë së shpejti një projekt transformimi të të gjithë sistemit të ujitjes, në një sistem të mbuluar. Pra, jo më kanale që rrinë në anë të rrugës e hidh çfarë të duash, por siç është uji që vjen në shtëpi, do të jetë edhe uji që vjen në parcelë, i mbuluar dhe i kontrolluar për të mos u shpërdoruar. Do të ishte mirë ta bënim në gjithë Shqipërinë për njëherë, por si?”, deklaroi Kryeministri.

Në bashkëbisedimin me fshatarët e Zharrës, Kryeministri Rama tha se fermerët kanë më shumë mundësi financimi. Projekti me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u mundëson marrjen e kredive me interesa të buta dhe ku garant është shteti. Nga ana tjetër, fshatarët kërkuan më shumë politika orientuese për prodhimin. Por për kryeministrin zgjidhja është bashkimi e fermerëve në kooperativa moderne.

“Kjo hap rrugën tuaj për të marrë kredi nga Bankat e nivelit të dytë, por jo kredi me interesa dhe me kushte njësoj si të ishit biznese në qytet, por kredi me interesa shumë më të favorshme, të garantuara nga shteti. Kini parasysh që rezerva në dispozicion është rreth 300 milionë euro. Mundësia reale për thithje është minimalisht 50 milionë euro në vit. Që janë një shumë jo e vogël, po të kesh parasysh se me sa pak mbështetje, familja fermerë ose një komunitet familjesh mund të bëjnë diferencën e mund të hedhin një hap të rëndësishëm përpara”, u shpreh Rama.

Rama premtoi gjithashtu më shumë investime për arsimin në zonat rurale.

Top Channel