Turqia: Nuk i zbusim ligjet antiterror

02/09/2016 00:00

Prej disa muajsh, Turqia dhe Bashkimi Evropian kanë mosmarrëveshje lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për shtetasit turq që duan të hyjnë në vendet e unionit.

Vizita e Presidentit të Parlamentit Evropian në Ankara, Martin Shulc, sinjalizon një intensifikim të përpjekjeve të Brukselit për ruajten e marrëdhënieve të mira me Turqinë, e megjithatë, takimi me kryeministrin Binali Yildirim nuk prodhoi një zgjidhje.

Për shkak të gjendjes aktuale në vend, lideri turk refuzoi sërish ndryshimin e ligjeve antiterror, gjë që BE-ja e ka vendosur si kusht për heqjen e vizave.

“Për momentin, në këtë çështje nuk ka fare lëvizje, për shkak të dallimeve që kemi. E megjithatë, unë nuk besoj se e gjitha në fund duhet të dështojë, por kemi shans që të diskutojmë për marrëveshjet për të cilat kemi rënë dakord”, tha Shulc.

Por, sipas Yldirim, Turqia nuk mund të zbusë ligjet antiterror në një moment të tillë, kur, siç tha, bëhej fjalë për jetë a vdekje. Megjithatë, është në një mendje me Shulcin se bisedimet duhet të vazhdojnë: “Ne nuk i kemi përmbushur disa prej detyrave tona, por as BE-ja nuk e ka bërë këtë. Por, tani ekziston mundësia për t’i përmbushur. Por, ka një përjashtim dhe ai është ligji për terrorizmin. Ne nuk mund ta ndryshojmë atë nën rrethanat aktuale. Bëhet fjalë për jetë a vdekje”.

Shulci dhe Komisoneri për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos, i cili qëndroi gjithashtu në Ankara, ishin të parët përfaqësues të lartë të BE-së që shkuan në Turqi pas dështimit të përpjekjes për grusht shteti. Avramopulos theksoi se Brukseli është një partner kyç i Turqisë dhe anasjellas. Në mbrëmje, Shulc u takua edhe me Presidentin Recep Tayyip Erdogan, me të cilin, siç tha zëdhënësi i tij, zhvilloi një bisedë miqësore.

Top Channel