Ventura debuton me humbje, Franca mposht Italinë

01/09/2016 00:00

Debutim i hidhur për Giampiero Venturan në stolin e Italisë. Të kaltërit u mundën 3-1 në testin miqësor të “San Nicola” të Barit nga Franca. Pavarësisht zhgënjimit që Italia dhuroi në Euro 2016, risitë e vetme në formacionin titullar të Italisë ishin Astori dhe Bonaventura, ndërsa Pelle dhe Eder mbetën zgjedhje të para në vijën e parë të sulmit.

Në krahun tjetër, Franca u prezantua me treshen e sulmit Martial, Giroud, Griezmann. Takimi u zhbllokua në minutën e 17 nga Martial i cili shfrytëzoi në maksimum krosimin e Pogba.

4 minuta më pas, Pelle vendosi barazpeshën. Eder nga e djathta arriti të filtronte një top në zonë dhe bomberi i kaltër kontrolloi me saktësi dhe mposhti gardianin Mandanda.

Spektakli nuk u ndal në pjesën e parë sepse në të 28-ën, Giroud i shërbyer nga Kurzawa riktheu në avantazh “gjelat”.

Gjatë pjesës së dytë, Ventura i dha mundësinë e artë portierit Donnarumma, i cili konsiderohet si e ardhmja e Italisë, por ishte pikërisht gardiani kuqezi bëri një gabim të pabesueshëm në minutën e 81 duke lejuar golin e tretë të Francës me autor Kurzawa.

Një ndeshje që u shërbeu trajnerëve Deschamp e Ventura për të hedhur themelet e skuadrave të tyre në prag të startit të eliminatoreve të Botërorit 2018.

Top Channel