Venezuelë, një milion opozitarë “pushtojnë” Karakasin kundër Maduros

01/09/2016 00:00

Të veshur me të bardha dhe duke thirrur “kjo qeveri do të bjerë”, qindra mijëra mbështetës të opozitës mësynë kryeqytetin venezuelian gjatë së enjtes për të bërë presion regjimit të presidentit Nicolas Maduro.

Në atë që me shumë mundësi mund të konsiderohet si demonstrata më e madhe ndaj regjimit socialist në më shumë se një dekadë, protestuesit “përmbytën” Karakasin me të ardhur nga xhungla e Amazonës e deri nga Andet perëndimore.

Koalicioni opozitar “Uniteti Demokratik” përllogariti se të paktën një milion njerëz morën pjesë në mitingjet për të kërkuar mbajtjen e një referendumi kundër Maduros, si dhe për të kritikuar krizën e thellë ekonomike që ka kapluar vendin.

“Do ta rrëzojmë Maduron”, tha Naty Gutierrez, një 53-vjeçare e cili ka udhëtuar më shumë se 120 km nga Maracay drejt Karakasit, një rrugëtim që zgjati më shumë se trefishi i kohës normale për shkak të bllokadave rrugore të imponuara nga ushtarët.

“Do ta mposhtim urinë, krimin, inflacionin dhe korrupsionin. Ata nuk kanë bërë asgjë në 17 vite. Koha e tyre ka marrë fund”, tha ajo, e rrethuar nga mijëra njerëz që mbanin në duar parrulla dhe flamuj kombëtarë në një prej pikave të grumbullimit të demonstruesve.

Opozita shpreson që protestat të provojnë edhe njëherë se ata janë shumica në vend dhe për të ushtruar presion ndaj Maduros dhe Bordit Kombëtar Zgjedhor, për të lejuar një referendum mbi regjimin e tij, ashtu siç e lejon Kushtetuta në mesin e mandatit presidencial.

Por, duke qenë se bordi zgjedhor e zvarrit procesin dhe qeveria është betuar se referendumi nuk do të ndodhë këtë vit, opozita nuk ka ndonjë mënyrë për ta detyruar mbajtjen e tij, pavarësisht se sa persona mblidhen në rrugë për të protestuar.

Koha është gjëja më e vyer në këtë rast, pasi edhe nëse do të mbahej një referendum në vitin 2017 dhe Maduro do ta humbiste atë, zëvendëspresidenti i përzgjedhur prej tij do të merrte drejtimin e Partisë Socialiste në pushtet, në vend që të mbaheshin zgjedhje të reja presidenciale.

Në pushtet që prej presidencës së parë të Hugo Chavezit në vitin 1999, socialistët kanë arritur nivelin më të ulët të qeverisjes së tyre, pasi rënia e çmimeve të naftës dhe ekonomisë shtetërore e kanë lënë vendin anëtar të OPEC-ut (Organizatës së vendeve eksportuese të naftës) në mes të trazirave.

Top Channel