Shtyrja e demarkacionit, Lunacek e Fajon të “zhgënjyera”. Të hënën votohet liberalizimi

01/09/2016 00:00

Raportuesja e posaçme e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, si dhe raportuesja për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, kanë shprehur keqardhjen e tyre për shtyrjen në Kuvend të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Në llogaritë e tyre respektive në rrjetin social “Tëitter”, Lunaçek dhe Fajon kanë bërë të ditura gjithsesi se, “votimi në komitetin LIBE të Parlamentit Europian do të bëhet të hënën e javës së ardhshme”.

Lunaçek ka shkruar se “Parlamenti Europian është serioz në mbështetjen e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave”.

“Kosova duhet të përmbushë të dyja kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave”, shkruan Lunaçek, duke shtuar se “Fajon planifikon të vijojë më tej me votimin në komitetin LIBE”.

I njëkohshëm ka qenë edhe reagimi i Tanja Fajonit, raportueses për liberalizimin e vizave të Parlamentit Europian, e cila ka shkruar se “të gjithë duhet të jemi të një qëndrimi për të vijuar përpara me marrëveshjen për demarkacionin”.

“Mbetem e përkushtuar për procesin. Plani im është që të procedoj me votimin për udhëtimin pa viza për Kosovën në LIBE”, ka shkruar Fajon, duke theksuar se “ i bën thirrje Kosovës që të përmbushë kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave”. “Topi tani është në fushën e Kosovës”, ka thënë ajo.

Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, “LIBE”, parashikohet që të votojë të hënën, më 5 shtator, për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke i hapur kështu rrugën Parlamentit Europian që të votojë edhe ai për të njëjtin proces.

Komiteti “LIBE” pritej të votonte për Kosovën në korrik të këtij viti, por shtyu votimin në shtator me shpresën se politikanët e Kosovës do të gjejnë një zgjidhje për demarkacionin.

Qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi këtë të enjte, me arsyetimin “e rrethanave të pafavorshme të krijuara, si dhe tensioneve në vend”. Kuvendi u mblodh këtë 1 shtator për të diskutuar për demarkacionin dhe për ta votuar marrëveshjen, ndërkohë që një protestë u organizua jashtë Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Top Channel