Shtesat e lojës, trajnerët: Të padobishme, të kalohet menjëherë te penalltitë

01/09/2016 00:00

Askush nuk i dëshiron më kohët shtesë. Propozimi i fundit është të shkohet drejtpërdrejt te goditja e 11-metërshave. Të paktën kjo është kërkesa e disa prej trajnerëve më të rëndësishëm të Europës, mes të cilëve Mourinho dhe Arsene Wenger, e bërë gjatë samitit të UEFA-s në Nyon gjatë ditës së mërkurë.

Një prej admiruesve dhe që i bën jehonë këtij propozimi, i cili pritet të jetë i vlefshëm vetëm për ndeshjet e Champions League dhe Europa League, është edhe Sir Alex Ferguson, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij “teksa sheh shumë lojtarë që ‘zvarriten’ tepër të lodhur në fushë gjatë kohëve shtesë, në pritje të kalimit të minutave dhe mbërritjes te goditjet nga pika e bardhë e penalltive”. Një gjë e tillë ndodh në mënyrë të paevitueshme, sipas ish-trajnerit mitik të Manchester United.

Një gjë e tillë ndodhi edhe gjatë finales së fundit të Championsit, por sigurisht nuk mund të konsiderohet e denjë për një rast kaq prestigjioz. Ndaj dhe është hedhur ideja se, kohët shtesë pas një barazimi gjatë 90 minutave të kohës së rregullt janë gjithnjë e më të padobishme, e pse jo të mos kopjohet modeli i Kupës Libertadores, ekuivalentit të Championsit në Amërikën Latine?

Një pozicion të ngjashëm, por me më pak entuziazëm mban edhe drejtori teknik i UEFA-s, Ioan Lupescu, i cili teksa është pyetur mbi “efektivitetin e përdorimit të kohëve shtesë në futbollin aktual”, pavarësisht se e pranon se është disi lodhëse, shton se kalimi menjëherë te penalltitë “mund të jetë një avantazh për skuadrat e vogla, të cilat do të vijojnë të mbrohen edhe më fort në ruajtje të rezultatit”.

Takimi i Nionit u ka shërbyer trajnerëve edhe për të hartuar përmbledhjen taktike të “Euro 2016”. Si rezultat i kësaj është zbuluar se, skuadrat që kanë pasur më së shumti zotërimin e topit kanë fituar vetëm 31 për qind të ndeshjeve të turneut, ndërsa 11 nga 15 sfidat e fazës me eliminim të drejtpërdrejtë kanë përfunduar në favor të kombëtareve që zotëronin më pak qarkullimin e topit.

Top Channel