F1, Verstappen: Nuk do ta ndryshoj stilin e garimit

01/09/2016 00:00

Atij nuk i bëjnë aspak përshtypje kritikat. Është një pilot tepër i talentuar, aq sa e cilësojnë edhe si të ardhmen e Formulës 1. Max Verstappen mbrohet duke thënë se për të, “nuk është aspak e thënë që të ndryshojë stilin e garimit vetëm pse këtë ia kërkojnë pilotët e tjerë”.

Bëhet fjalë për kritikat e lëshuara kohët e fundit nga Kimi Raikkonen, finlandezi i Ferrarit, me të cilin ka pasur një përplasje në kthesën e parë dhe më pas një duel të ashpër për parakalim, dy prej skenave më karakterizuese të Çmimit të Madh të Belgjikës të fundjavës së kaluar.

Madje holandezi hidhet në sulm.

“Më duhet gjithmonë të sulmoj, ndaj dhe nuk kam asnjë motiv për të ndryshuar stilin e garimit”, është shprehur shkurtimisht 19-vjeçari i Red Bullit, i cili pritet të jetë sërish protagonist në Çmimin e Madh të Monzës në Itali.

“Kimi thotë se ishte një betejë shumë e ashpër? Nuk e mendoj kështu, isha thjesht duke bërë garën time. Kur jemi duke garuar është tepër e vështirë të shohësh gjithçka, megjithatë të gjithë mundemi të mësojmë nga të tilla situata. Edhe ata që kanë më shumë eksperiencë mund të mësojnë. Megjithatë, tashmë unë jam i fokusuar vetëm në garën e Monzës”, thotë holandezi Verstappen.

Top Channel