OPEC, Arabia duket e lodhur nga çmimet e ulëta. Do të kërkojë ngrirje të prodhimit?

01/09/2016 00:00

Dy vite pasi shkaktoi betejën për çmimin e naftës, Arabia Saudite duket mëse e lodhur me nivelet e larta të naftës bruto me çmim të ulët, e për shkak të presioneve buxhetore, frikës nga mungesa e furnizimeve në të ardhmen, tashmë synon të forcojë jo vetëm çmimin, por rrjedhimisht edhe prodhuesin shtetëror “Aramco”.

Ndryshimi i tonit vjen në një kohë kur OPEC (Organizata e vendeve eksportuese të naftës) dhe prodhues të tjerë si Rusia mund të rifillojnë bisedimet për stabilizimin e eksporteve, kur ato të takohen në Algjeri më vonë gjatë këtij muaji, ndërkohë që përpjekje të ngjashme për të nxitur rritjen e çmimeve të naftës pësuan goditje në prill për shkak të tensioneve mes sauditëve dhe iranianëve.

“Sauditët do të shkojnë në Algjeri me synimin për ngrirjen e prodhimit”, tha një burim nga OPEC për agjencinë “Reuters”, i cili ka njohuri mbi këtë çështje por preferon të mbetet i paidentifikuar.

“Gjithnjë e më shumë ministra janë duke folur tashmë mes tyre për të vlerësuar pozicionet e tyre të prodhimit”.

Në nëntor të vitit 2014 OPEC-u, nxitur nga Arabia Saudite bëri një ndryshim të papritur dhe historik të politikave të tij, duke refuzuar të shkurtonte prodhimin me shpresën se çmimet e ulëta do të detyronin rivalët të tërhiqeshin për shkak të kostove të larta, të cilat kanë gërryer tregjet e vendeve të kësaj organizate.

Duke forcuar më tej përshtypjen e një prodhimi falas për të gjithë, OPEC hoqi dorë nga mekanizmi i mbetur menaxherial, tavani i prodhimit, në dhjetor të vitit 2015.

Që prej vitit 2014 e deri në fillim të këtij viti, ish-ministri saudit i naftës, Ali al-Naimi ofroi shumë pak mbështetje verbale për çmimet. Tregjet janë ato që përcaktojnë çmimet, thoshte Naimi, por ai nuk ndonjë kufi të preferuar apo tregues të niveleve të qëndrueshme në një periudhë afatgjatë.

Që kur Khalid al-Falih mori postin e ministrit të Energjisë, tonet kanë ndryshuar dukshëm. Ai është shprehur se bota ka nevojë që çmimet e naftës të jenë mbi 50 dollarë për fuçi për të arritur balancën tregtare, si dhe shtoi perspektivën që Arabia Saudite të rimerrte rolin e saj në balancimin mes kërkesës dhe ofertës.

Megjithatë, së jashtmi nuk ka ende ndonjë shenjë përcaktuese të ndryshimit të politikës. Por nga prapaskena duket se Arabia Saudite po punon drejt forcimit të çmimeve, duke mos preferuar t’ia lërë këtë gjë në duart e forcave tregtare.

Në takimit e fundit të OPEC-ut gjatë qershorit, të mbajtur në Vjenë, Falih surprizoi disa prej homologëve të tij duke propozuar që OPEC-u të përcaktonte një tavan prodhimi, sipas asaj që bëjnë të ditur persona me njohuri mbi këtë çështje.

Top Channel