Drogë me “Jet Ski”. Trafikanti i dyshuar kapet afër Lecces

01/09/2016 00:00

Të trafikosh drogë drejt Italisë duke kaluar Adriatikun me “Jet Ski”, apo siç njihen ndryshe motorët e ujit, mund të duket çmenduri, por policia italiane ka zbuluar një tjetër rast të tillë.

Pas një opepracioni në kanalin e Otrantos, në pranga ka përfunduar një 19-vjeçar nga Vlora me inicialet S.K., ndërsa një tjetër person ka arritur t’i “zhduket” mjeteve të shpejta të “Guardia di Finanza”-s.

Referuar medieve italiane, në “Jet Ski” nuk është gjetur drogë, pasi dyshohet se gjatë ndjekjes trafikantët, duke përfituar edhe nga errësira, mund ta kenë hedhur në det lëndën narkotike.

Sipas policisë italiane, që publikoi pamjet e operacionit, trafikantët kishin qëllim zbarkimin në brigjet e San Foca-s të rajonit të Lecces.

Ky është rasti i dytë brenda dy javësh që zbulohet nga policia italiane. Më 22 gusht, një 37-vjeçar nga Vlora u kap me një motor uji, mbi të cilin kishte ngarkuar rreth 200 kg kanabis, vlera e të cilit i kalonte 1.5 milionë eurot.

Top Channel