Grabitja te ish-Blloku, Kulla “junior” koka e operacionit

01/09/2016 00:00

Robert Kulla, djali i një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në vitet ’90, Nehat Kullës, dyshohet se është organizatori si dhe personi që ka shtyrë dy bashkëpuntorët e tjerë për të realizuar vjedhjen e kasafortës së bankës në zonën e ish-Bllokut.

Nga hetimet e para dhe në bazë të përgjimeve, grupi hetimor ka krijuar dyshime se 35-vjeçari drejtonte grupin që realizoi vjedhjen spektakolare të gati 200 mijë dollarëve.

Po ashtu mësohet se në momentin e ndalimit nga ana e forcave operacionale, Robert Kulla ka sfiduar verbalisht forcat e policisë.

Zbulimi i autorëve të vjedhjes së bankës erdhi pas gjetjes së një gjurme gishti të Roland Litit, një person me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje.

Nga ky moment 37-vjeçari është mbajtur në vëzhgim duke zbuluar lidhjen me Robert Kullën dhe 23-vjeçarin tjetër të vënë në pranga, Alan Babameto.

Ky i fundit së bashku me Roland Litin janë larguar një ditë pas vjedhjes drejt Malit të Zi, ku policia ka kryer veprime dhe sipas informacioneve të marra kanë shpenzuar shuma të mëdha parash.

Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se hetimet do të vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë vjedhje spektakolare.

Veprimet e sakta dhe dijenia për planimentrinë e godinës kanë bërë që policia të ketë dyshime dhe për bashkëpuntorë brenda bankës.

Top Channel