Basha: Në Dibër, konkurrencë e pandershme. Tenderat i fiton Sadriu

01/09/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke shoqëruar kandidatin për Dibrën, Sherefedin Shehu në fushatë elektorale, akuzoi qeverinë se me arrogancë, gjoba dhe taksa të larta po falimenton bizneset dhe po mbyll mijëra vende pune.

Zoti Basha u ndal dhe tek konkurrenca e pandershme që i bëhet biznesit dibran, ku çdo tender në këtë bashki e merr deputeti i PS, Sadri Abazi.

“Taksat janë rritur, tarifat janë rritur, arroganca e pushtetit është rritur, represioni është rritur, çmimi i naftës është rritur, çmimi i energjisë është rritur. Po të gjitha këto bien mbi kurrizin e biznesit. Sigurisht që me një analizë të fundit bien mbi kurrizin e çdo shqiptari, se kur është keq biznesi është keq vendi. Kush tjetër përveç Sadriut merr tendera në Dibër? Po mirë, nuk ka biznese të tjera këtu që të gjitha i merr Sadriu? Po kaq është Dibra, një katund me Sadriun? Jo more zotëri nuk është kaq. Ka firma Dibra, po s’ka konkurrencë se ka klientelë, se ka korrupsion”, theksoi Basha.

Kryetari i PD tha se, ulja e taksave dhe reduktimi tarifave do të jetë vetëm hapi i parë i Bashkisë së Dibrës së drejtuar nga Sherefedin Shehu. Basha tha gjithashtu se, me të kryeministër taksat do të ulen në nivel kombëtar.

“9% taksë e sheshtë, 9% sigurime shoqërore, 15% TVSH, investime që hapin vende pune dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve, janë platforma e demokratëve nesër në qeverisjen e vendit”, tha Basha.

Ndërsa kandidati Shehu gjatë takimit shpalosi dhe platformën e tij, duke e vënë theksin tek “filozofia e taksave të ulëta”.

“Parashikojmë në programin tonë ulje në maksimum të taksave dhe thjeshtim të sistemit të taksave. S’ka pse të jenë 24 taksa bashkie. Dhe taksat asnjëherë nuk duhet të jenë shkak për të falimentuar biznesin. Sepse fatkeqësisht qeveria e sotme taksën e ka vendosur si mekanizëm edhe për të burgosur. Për ato shërbime që janë në letër dhe nuk ju ofrohen juve, për të cilat ju paguani taksat, nuk do të ketë taksë. Taksë e pastrimit, po të jesh biznes i madh të marrin taksë të madhe. Ajo është një taksë që duhet të ketë një analizë. Për çfarë i paguan, për çfarë shërbimi i merr ? Në qoftë se ti nuk bën pis, nuk e ndot ambientin, pse duhet ta kesh më të madhe taksën? Në qoftë se uji vjen një herë në ditë, pse duhet të rritet tarifat e ujit të pijshëm? Siç ka ndodhur edhe këto ditët e fundit që na janë ankuar qytetarët”, tha Shehu.

Top Channel