Shkodër, Ademi: Rama kërcënoi në mënyrë skandaloze qytetarët

01/08/2016 00:00

Një ditë pas debatit që u zhvillua gjatë inagurimit të stadiumit “Loro Boriçi” mes kryeministrit Edi Rama dhe Voltana Ademit, në lidhje me prishjen e ndërtimve përreth stadiumit, ka reaguar kryetarja e Bashkisë së Shkodrës.

Në një komunimim me mediat, Ademi ka denoncuar një kërcënim që sipas saj i është bërë qytetarëve të Shkodrës nga kryeministri Rama.

“Jam sot këtu para jush për të denoncuar kërcënimet e papranueshme e skandaloze të kryeministrit të vendit ndaj Shkodrës dhe qytetarëve të saj. Mbrëmë, në prani të dhjetëra vetëve, në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi”, Edi Rama u hakërrye në mënyre të përsëritur duke më thënë se Shkodra do të ketë zero fonde. Zero fonde, përsëriti 10 herë kryeministri i vendit”, ka deklaruar Ademi.

Ajo ka theksuar se, nuk është vetëm kërkesa e kryeministrit për prishjen e shtëpive pranë stadiumit arsyeja e kësaj sjellje.

“Duket qartë se kjo është një sjellje politike, hakmarrëse ndaj një qyteti e ndaj banorëve të tij që nuk e kanë votuar Edi Ramen. Unë jam sot këtu si përfaqesuese e zgjedhur e qytetarëve të Shkodrës dhe dua t’i bëj të ditur Edi Ramës se shtëpitë me leje, pronat, qytetarët dhe ligji janë më të rëndësishme se pushteti, më të rëndesishme se një bashki, më të rëndesishme se unë, se qeveria dhe me të rëndësishem se Edi Rama”, ka thënë Ademi.

Ajo ka pohuar se nuk do të pranojë kurrë shembjen e paligjshme të shtëpive dhe pronave të qytetarëve, vetëm për të plotësuar shijet e kryeministrit.

Top Channel