Kredi të buta për të pastrehët; Tiranë, zhbllokohet procesi

01/09/2016 00:00

Familjet e reja të pastreha, që nuk kanë mundësi të blejnë shtëpi banimi, do të ndihmohen nga bashkia me kredi të buta. Ndërsa njoftoi këtë vendim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj këkroi lirimin e konvikteve të shkollave që janë zënë nga personat e pastrehë.

Bashkia zhbllokon dhënien e kredive të buta për familjet, kryesisht ato të reja të cilat nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë apartamente në kushtet e tregut sot. Veliaj shpjegoi dhe arsyen e ndërprerjes së tyre, duke e lidhur atë me përfitimin nga vetë zyrtarët.

“Duke filluar nga viti tjetër, Bashkia e Tiranës do të vendosë 1 milion dollarë për dhënien e 2 mijë kredive të buta, çka do të bëjë të mundur që bankat të gjenerojnë mbi 60 milionë dollarë në tregun imobiliar, kurse 2 mijë familje të reja do të marrin apartamentin e tyre në Tiranë, ndonëse qeveria qendrore e ka pezulluar programin e kredive të buta për shkak të abuzimeve që kanë ndodhur në të kaluarën, ku deputetë dhe drejtorë të rëndësishëm merrnin kredi të buta”, deklaroi Veliaj.

Këtë vit, Bashkia e Tiranës ka marrë në administrim konviktet. Kryetari i bashkisë u kërkon të gjithë familjeve që janë strehuar në konvikte t’i lirojnë ato dhe të aplikojnë në programet e strehimit në bashki.

“Kush vjen nga një fshat i largët apo zonë e thellë duhet të ketë të njëjtat shanse për sukses si dikush që ka lindur në zemër të Tiranës. Konviktet tona janë mundësia se si ne i japim një fillim të barabartë të gjithë nxënësve dhe studentëve në Tiranë. Vërtet krijon një histeri publike, por di t’ju them se në këtë konvikt, hapësirat që janë liruar janë zënë nga njerëz që i kanë pasur punët shumë mirë. Dikush që është doktoreshë nuk ka nevojë për asistencë sociale, mundet fare mirë në tregun e lirë me rrogën që ka, të marrë një kredi dhe të strehohet si gjithë të tjerët. Dikush që ka një shtëpi të dytë, zapton sepse i bie qylit, sepse i intereson më mirë, por nuk është një argument për të zënë një hapësirë publike”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e konviktit të shkollës së mesme elektrike “Gjergji Canco”, ku është ndërhyrë në sistemin elektrik dhe hidraulik, si dhe janë krijuar ambiente më komode për 230 nxënës që e frekuentojnë atë.

Top Channel