Nishani pret Engel: Faleminderit për mbështetjen e SHBA

01/09/2016 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë kongresmenin amerikan Eliot Engel, i cili ndodhet në një vizitë pune në Shqipëri.

Nishani e falenderoi zotin Engel për rolin e veçantë dhe mbështetjen e fuqishme që ai personalisht i ka dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve për afro tre dekada si kongresmen.

“Është gjithmonë kënaqësi mikpritja e një kongresmeni amerikan në Tiranë, por vizita dhe prania juaj na jep një gëzim të veçantë, si mua personalisht si president i vendit ashtu edhe të gjithë shqiptarëve”, tha Nishani gjatë takimit.

Kreu i shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë të tij për mbështetjen që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, konsolidimin e institucioneve, si dhe për pavarësinë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente kyçe të historisë së tyre moderne dhe lista e falenderimeve do të ishte shumë e gjatë, por një falënderim të veçantë dëshiroj ta bëj për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë për rrëzimin e regjimit komunist, si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e ndihmuar të bëhet një anëtare e denjë e kësaj aleance”, u shpreh Nishani.

Top Channel