De Biasi: Përgjigje pozitive nga skuadra

31/08/2016 00:00

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi u shfaq i kënaqur pas ndeshjes miqësore ndaj Marokut të mbyllur në barazim 0-0. Tekniku italian pohoi për mikrofonin e Supersport, se mori përgjigjet e duhura nga skuadra në prag të sfidës me Maqedoninë.

“Mora përgjigje të mira në këtë miqësore. Kundërshtari që kishim përballë ishte mjaft i fort dhe pas verës, ku nuk dihet se në çfarë gjendje psiko-fizike vjen skuadra, përgjigjet ishin pozitive”, tha italiani.

Një pyetje edhe për të rikthyerit në kombëtare, Gjimshitin edhe Hykan.

“Gjimshiti dhe Hyka? Të dy lojtarët kanë bërë pjesë e grupit tonë. Më vjen keq për Jahmirin që në dy vitet e fundit nuk ishte pjesë e skuadrës, por ky është një mesazh për të gjithë lojtarët e tjerë: Unë i shoh të gjithë dhe më e rëndësishme është dëshira e futbollistëve për të dhënë kontributin. Edhe për Beratin jemi të kënaqur që e kemi mes, por fakti që nuk erdhi në Francë ishte sepse në atë periudhë nuk ishte në gjendjen e duhur”, vijoi tekniku italian.

De Biasi sqaroi edhe ndryshimet e bëra, teksa theksoi i pëlqeu reagimi i lojtarëve në fushën e lojës, duke mos u treguar eurofikë.

“Ndryshimet në formacion nga 4-3-3 në 3-5-2? Nga pikëpamja taktike bëmë mirë, sepse kaluam nga 4-3-3 në 3-5-2 për të mos i lejuar shumë hapësira lojtarëve të krahut të Marokut. Ky ndryshim na lejoi që të krijonim tre apo katër raste për shënim, të cilat nuk janë pak përballë një kundërshtari të tillë. Skemën e ndryshuam gjatë ndeshjes, nuk e kishim parashikuar. Ne e provojmë gjithmonë të ndryshojmë rreshtimin gjatë lojës, për të balancuar lojën në fushë dhe për t’iu kundërvënë kundërshtarit. Është diçka pozitive që të kemi aftësinë të ndryshojmë modulin gjatë lojës. Eufori pas Euro 2016, apo kemi uri për objektiva të rinj? E kishim këtë frikë, ne si staf. Por, djemtë treguan se e respektojnë kundërshtarin dhe ishin mjaft të përqendruar. Nuk është aspak e lehtë, por përgjigja ishte mjaft pozitive”, u shpreh De Biasi.

Top Channel