De Biasi guxon të ndryshojë, vlerësimet për skuadrën

31/08/2016 00:00

Provë e mirë e kombëtares përpara ndeshjes së parë zyrtare të edicionit të radhës eliminator, finalet e kampionatit botëror Rusi 2018.

Përballë një Maroku me futbollistë cilësor dhe një prej skuadrave më të mira të kontinentit afrikan, trajneri De Biasi arriti të mbledhë mjaftueshëm informacion për skuadrën që do të nisë zyrtarisht sezonin e ri të hënën, më 5 shtator kundër Maqedonisë.

Edhe pse një pjesë e futbollistëve vijnë nga faza të forta përgatitore dhe nuk janë ende në kondicionin e duhur fizik, mund të thuhet se skuadra ka ruajtur një strukturë solide, me reparte të ekuilibruara dhe një qarkullim të lartë të topit. Skuadra mbrohet mirë dhe vepron në bllok në të dyja fazat. Sulmuese dhe mbrojtëse.

Për të mos vënë nota emër për emër vlerësimi i Top Channel për këtë ndeshje vjen sipas reparteve.

Mbrojtja 7 – Një repart plotësisht i kolauduar dhe pavarësisht largimit të kapitenit apo mungesës për shkak dëmtimi të Ajetit, të gjithë të aktivizuarit treguan paraqitje të mirë. Lenjani në një pozicion të ri si mbrojtës i majtë u koordinua shumë mirë më grupin, ndërkohë që Gjimshiti pavarësisht disa pasigurive në pjesën e dytë e rriti shumë lojën, veçanërisht kur De Biasi e rreshtoi skuadrën me 3 mbrojtës. Hysaj dhe Mavraj mbeten pikat më të forta.

Mesfusha 7 – E ka rritur ndjeshëm lojën ky repart dhe koordinimi i të 3 lojtarëve të qendrës tregoi një siguri në të gjitha veprimet. Në pjesën e dytë loja u rrit sërish shumë me Kukelin, Kaçen dhe Memushajn që i dhanë më shumë fantazi.

Sulmi 6 – Pavarësisht se vrapuan shumë sulmuesit, përfshirë Cikalleshin, Gashin dhe Hykën në pjesën e parë, sulmi nuk prodhoi shumë. Pak të koordinuar në 45 minutat e para dhe më pak iniciativë, me ndonjë gjuajtje të Cikalleshit apo Hykës. Edhe kur trajneri vendosi të luajë me Cikalleshin e Sadikun veprimet nuk ishin shumë të qarta.

De Biasi 7 – Guxon dhe arrin që t’i përçojë skuadrës saktë te gjitha idetë e tij. E njeh në maj të gishtave këtë skuadër dhe çdo veprim të secilit prej futbollistëve. Zgjedhja e skemës së ndryshuar ishte si një ‘finte’ për skuadrën e Maqedonisë.

Kombëtarja bëri një provë të mirë, ndërsa trajneri mori përgjigjet e duhura në prag të misionit të ardhshëm. Evropiani është një kapitull i mbyllur, tani kombëtarja kthehet në realitet.

Top Channel