Rivlerësimi i pasurive, hapet të enjten procesi për pronat e paluajtshme

31/08/2016 00:00

Të enjten hyn në fuqi procedura që lejon këdo që ka pasuri të patundshme të bëjë rivlerësimin e pronës dhe ta regjistrojë atë në hipotekë. Për të mësuar më shumë mbi këtë procedurë, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë kryetari i këtij procesi, Ilirjan Muho.

TCH: Mirëmbrema, zoti Muho. Nesër hapet procedura dhe gjithëkush mund të aplikojë për rivlerësim. Çfarë parashikon kjo procedurë dhe si realizohet? çfarë duhet të bëjë nesër pronari i një banese?

Ilirjan Muho: Nesër është dita e parë e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtëshme, që do të zgjasë 6 muaj dhe do përfundojë më 28 shkurt të vitit tjetër. Nga nesër qytetarët kanë të drejtë të paraqiten në sportelet e zyrave të regjistrimit për të tërhequr dy formularë, ku duhet të plotësojnë dy pika, ndërsa dy të tjera plotësohen nga punonjësit e procesit. Qytetarët mund t’i drejtohen zyrave për të bërë përllogaritjen e pasurisë së tyre, apo një eksperti të pavarur i cili do të bëjë përllogaritjen dhe më pas formulari do të dorëzohet në zyrat e regjistrimit dhe menjëherë do nisë procesi i rivlerësimit. Do ketë një aplikim nga qytetarët, ku ai do të kërkojë, pas pagimit të detyrimit prej 2 për qind, të pajiset me një dokument të ri të pronës së tij.

TCH: Cilat janë përfitimet e qytetarëve dhe hipotekave nga ky proces?

Ilirjan Muho: Ligji vjen në ndihmë të qytetarëve pasi pasuria e tyre do të ketë një vlerë të përafërt me vlerën e tregut. Pra, nëse një pasuri e krijuar ndër vite ka një vlerë të caktuar, tashmë ajo do ketë një vlerë të përafërt me tregun. Për ta thënë më thjeshtë: nëse një qytetar ka përfituar një apartament gjatë procesit të privatizimeve pas viteve ’90, kur vlera ka qenë simbolike prej rreth 200 mijë lekë të vjetra, sot kjo pasuri vlen më tepër se aq. Kështu që llogaritja e vlerës së kësaj pasurie në bazë të procesit të rivlerësimit do ta afrojë atë me çmimin e tregut, ose me referencën e miratuar nga qeveria shqiptare në shkurt të këtij viti.

TCH: Zoti Muho, ju faleminderit.

Ilirjan Muho: Faleminderit juve.

Top Channel