Fier, qëllon në drejtim të kolegëve, arrestohet efektivi i FNSH-së

31/08/2016 00:00

Një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Fier u arrestua pasditen e sotme nga kolegët e tij për shkak se me armën e shërbimit qëlloi kundër tyre në qendër të qytetit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18 e 30 minuta, në lagjen “1 Maj”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Parkut”. Polici Maliq Shehaj u konfliktua me dy persona.

Për të shuar konfliktin ndërhynë tre punonjës policie, por ata u gjendën nën kërcënimin e armës së kolegut të tyre.

Maliq Shehajt, që akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, ju devijua arma në momentin që donte të kryente qitjen. Për fat të mirë nga ngjarja nuk ka patur të lënduar.

Policia: Ja versioni i ngjarjes

Në orët e mbrëmjes Drejtoria e Policisë së Fierit ka dalë me një njoftim për shtyp mbi ngjarjen, në të cilin thuhet:

“Fier! U bë arrestimi në flagrancë i  shtetasit: Maliq Shehaj, punonjës policie në Komisariatin e FNSH-së  Fier, në gjendje të dehur me 0.49 Mg/l,  për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”.

Arrestimi i punonjësit të policisë u bë pasi sot rreth orës 17:45, tek rreth rrotullimi i parkut Fier,  është përleshur me dy persona për motive të dobëta.

Në këtë moment kanë ndërhyrë tre punonjës policie të Drejtorisë Vendore të Policise Fier, njëri prej tyre me uniformë.

Punonjësit e policisë janë prezantuar dhe kanë kryer detyrën për ta neutralizuar por gjatë ndërhyrjes ky shtetas ka nxjerrë një armë tip pistoletë dhe pasi e ka mbushur  e ka drejtuar atë ndaj punonjësve të policisë.

Në këtë kohë ka bërë dhe shkrepjen e armës por pa shkaktuar dëme pasi të tre punonjësit e policisë, gjatë ndërhyrjes, e kanë devijuar drejtimin e qitjes. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Fier për veprime të mëtejshme”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel