Pistat më të shpejta në Botërorin e F1

31/08/2016 00:00

Ndalesa e radhës së Botërorit të Formula 1 është në Monza, një prej pistave më të shpejta të këtij kampionati. Është një pistë legjendare ku këtë fundjavë do të garohet për të 66 herë. Në frenimin e parë shpejtësia kalon nga 350 në 80 km/h. Vitin e kaluar Hamilton regjistroi një shpejtësi mesatare 250 km/h për të fituar edhe “pole position”.

Një tjetër pistë shumë e shpejtë për Botërorin e Formula 1 është edhe ajo e SPA në Belgjikë. Vitin e kaluar ishte Hamilton që shënoi shpejtësinë më të madhe me 235.2  km/h, ndërkohë që këtë vit ai që shkëlqeu ishte Roseberg me shpejtësi mesatare prej 236.2 km/h.

Silverstone në Britani është një tjetër pistë historike e Formula 1 ku shpejtësia mesatare e makinave arrin në nivele shumë të larta. Në 2015, Hamilton, 4 herë fitues i Çmimit të Madh të Britanisë, e përshkoi atë me 229.9 km/h.

Red Bull Ring është një ndër pistat më të shpejta jo vetëm në Botërorin e Formula 1, por edhe atë të MotoGP. Në Formula 1, shpejtësinë mesatare më të lartë në 2015 edhe këtu e shënoi Hamilton me 227.5 km/h, edhe pse garën e fitoi Rosberg. U largua nga kalendari në 2004, për t’u rikthyer në 2014 falë edhe dominimit të skuadrës së Red Bull.

Dhe në fund, Suzuka, pista japoneze që është pjesë e Botërorit të Formula 1 që nga viti 1987. Këtu ishte Rosberg ai që regjistroi shpejtësinë mesatare më të madhe, 225.8 km. “E meriton të jetë një pistë legjendare”, ka thënë për të Fernando Alonso, ndërsa Vettel nuk ngurron ta përkufizojë Suzuken si pistën e tij të preferuar.

Top Channel