“Ndeshje” para ndeshjes, Rama debaton me kryebashkiaken e Shkodrës

31/08/2016 00:00

Këtë mbrëmje në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër luhet ndeshja miqësore Shqipëri-Marok. Kjo ndeshje është inauguruese për stadiumin e Shkodrës, tërësisht i ri, i ndërtuar si një projekt prej 15 milionë eurosh.

Projekti kishte nevojë edhe për disa shpronësime pranë tij për shkak të hapësirës që kërkohej dhe në këtë proces u përfshi Bashkia e Shkodrës dhe qeveria.

Ndërkohë, kryeministri Rama, i ndodhur në Shkodër për të ndjekur ndeshjen miqësore ka debatuar me tone të larta me kryebashkiaken Voltana Ademi për çështjen e shpronësimeve të ndërtimeve pranë stadiumit.

Për gazetarët Rama foli vetëm për stadiumin dhe nuk komentoi debatin me kryebashkiaken Ademi.

“Është një vepër nga to që nuk ka nevojë për fjalë dhe fjalët janë të tepërta. Ky stadium është absolutisht një standard tërësisht i ri dhe jam i bindur që ky qytet, për traditën e vet, historinë dhe pasionin për sportin e futbollit e ka merituar prej kohësh. Ju siguroj që nëse ky stadium është një spektakël, Arena Kombëtare do të jetë një super spektakël. Unë me kryebashkiaken bisedova. Ju na përgjuat, ca përgjuat dëgjuat. Nuk kam ndonjë koment për këtë”, tha Rama.

Më vonë, pak pas nisjes së takimi miqësor Shqipëri-Marok, Kryeministriu iu drejtua rrjeteve sociale për të publikuar një video nga impianti sportiv shoqëruar me urimin për të gjithë sportdashësit shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë.

“Sapo u luajt Himni Kombëtar dhe nisi jeta e re e stadiumit të rilindur të Shkodrës. Ta gëzojnë sportistët dhe sportdashësit shkodranë e sjelltë mbarësi për Vllazninë, po sigurisht edhe për Shqipërinë e Kosovën, që do të luajnë eliminatoret e Botërorit në këtë shtëpi të re, plot shije e cilësi europiane”, shkruan Kryeministri.

Top Channel