Basketboll, Kombëtarja zhgënjen me Gjeorgjinë

31/08/2016 00:00

Debutimi i kombëtares shqiptare të basketbollit në eliminatoret e Europianit 2017 ishte një zhgënjim për të gjithë tifozët, pasi edhe pse nuk kishte pretendime, skuadra e Kostandinides, u dorëzua pa kushte ndaj Gjeorgjisë.

86-47 në favor të vendasve u mbyll ndeshja e grupit F e zhvilluar në Tbilisi, një rezultat që përligj atë çka shfaqën ekipet në fushën e lojës.

Gjeorgjianët me yje që luajnë në NBA dhe Euroliga ishin skuadra më e mirë në fushë dhe nuk iu deshën shumë për të vendosur diktatin. Gjeorgjia dominoi në thuajse të gjithë takimin, duke e nisur vrullshëm që në dy periodat e para.

Rivalët e kuqezinjve arritën deri në një avantazh prej 17 pikësh brenda dy fraksioneve të para që më pas e thelluan ndjeshëm.

Rezultati me 39 pikë diferencë, ishte dhe ai final. Ra në sy prezenca e amerikanit të natyralizuar si shqiptar, Rashaun Broadus.

Kuqezinjtë, që drejtohen nga trajneri qipriot Antonis Konstantinides, ndodhen në Grupin F eliminator, ku përveç Gjeorgjisë janë edhe Mali i Zi e Sllovakia. Kjo ishte ndeshja e parë e kombëtares shqiptare në eliminatoret për kampionatin europian, finalet e të cilit zhvillohen vitin e ardhshëm. Përballja e radhës e kuqezinjve të koshit do të zhvillohet në 2 Shtator ndaj Malit të Zi në Pallatin e Sportit, Asllan Rusi.

Kalendari më pas vijon me transfertën në Sllovaki në arenën e Prievizda, kthimin në Tiranë ndaj Gjeorgjisë dhe ndeshjen ndaj Malit të Zi në 14 Shtator. Eliminatoret pa shumë pretendime të basketbollit shqiptar të meshkujve, mbyllen në 17 Shtator në pallatin Asllan Rusi me ndeshjen Shqipëri-Sllovaki.

Top Channel