Francë, sekuestrohen 350 kg kokainë në fabrikën e “Coca-Cola”

31/08/2016 00:00

Një sasi kokaine me vlerë rreth 50 milionë euro është zbuluar në një impiant të markës së njohur të pijeve “Coca-Cola” në Francë.

Droga, e fshehur në disa çanta mes një ngarkese me koncentrat lëngu portokalli, mbërriti në një konteiner nga Amerika e Jugut. Autoritetet franceze kanë nisur një hetim në Sinj, një fshat në jug të Francës.

Sekuestrimi i 370 kilogramëve kokainë e bën atë një nga konfiskimet më të mëdha në territorin francez. Prokurori Xavier Tarabeux deklaroi se lënda narkotike e shitur në treg do të kishte kapur vlerën e rreth 50 milionë eurove.

Punonjësit e impiantit të Coca-Cola nuk janë përfshirë në hetimin e autoriteteve, të cilat po përpiqen të gjejnë origjinën e drogës. “Të dhënat paraprake të hetimit kanë treguar se punonjësit nuk janë të përfshirë”, deklaroi Jean Denis Malgras, president rajonal i “Coca-Cola”.

Në prill të vitit 2015, oficerët francezë të doganave arrestuan dy persona që po përpiqeshin të trafikonin me një jaht 250 kg kokainë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Top Channel