Me mijëra pjesëmarrës janë shënuar në festën e përvitshme “Tomatina”, gjatë së cilës gjithsecili qëllon me domate njëri-tjetrin, duke krijuar një ambient tërësisht të kuq pas betejave nëpër rrugë në lindje të Spanjës.

Në festën e zhvilluar në Bunol gjatë kësaj të mërkure janë përdorur rreth 160 tonë domate, të cilat u vunë në dispozicion nga 6 kamionë për turmën e mbledhur në rrugët e qytetit, për të vijuar pastaj me betejën disa orëshe, që si gjithmonë tërheq edhe shumë turistë të huaj.

Lufta e pazakontë i lë pjesëmarrësit, disa prej të cilëve mbanin në sy edhe syze plazhi për t’u mbrojtur, por edhe rrugët e qytetit si të ishin të gjakosura, apo të përmbytura nga salca e domates.

Organizatorët më pas nisën pastrimin e rrugëve me pompa uji, menjëherë pasi eventi përfundoi rreth pasdites, ndërsa pjesëmarrësit iu drejtuan dusheve publike për t’u pastruar.

Ngjarja, e cila shoqërohet me një pagesë për pjesëmarrjen, është frymëzuar nga një betejë për ushqimin mes fëmijëve lokalë në vitin 1945, në një rajon të njohur gjerësisht për prodhimin e domateve. Rreth 20 mijë njerëz priteshin të merrnin pjesë në betejën e këtij viti.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel