Skënderbeu përmes pikturës

31/08/2016 00:00

Krahas pazarit, që tërheq në çdo stinë vizitorë të shumtë, Kruja vizitohet edhe për vlerat historike që mbart.

Që prej janarit të këtij viti janë 76 mijë vizitorë nga vende të ndryshme, të cilët kanë pasur kureshtjen të vizitojnë kalanë prej nga ku udhëhiqte luftën Skënderbeu dhe muzeun dedikuar kësaj figure historike.

“Të shumtë janë vizitorët europianë. Ne kemi shumë vizitorë francezë, gjermanë, por edhe nga rajoni”, shprehet Mehdi Hafizi, drejtor i Muzeut, Krujë.

Figura e heroit Kombëtar vjen në Muzeun e Krujës si një figurë e plotë në artet pamore në të gjitha dimensionet. Gjatë vizitës sonë në muze, ndeshëm Naxhi Bakallin, autorin e afreskut më të madh në nder të tij, pikturuar në vitin 1982.

30 vepra arti unikale, nga studiot e artisteve Anastas Ballamaci, Simon Rrota, Spiro Xeges etj, vijnë për herë të parë në këtë formë për publikun, në ekspozitën e kuruar nga Ylli Drishti, fakt që ka tërhequr edhe më shumë vizitorë drejt Krujës. Veprat e hershme që prej 1887, janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Drejtorisë së Arkivave, ndërsa prezantohen në Krujë si vazhdim i projektit të nisur në Paris në muajin janar.

“Vazhdimisht kemi interpretuar ato fotografitë e pikturave origjinale, kur edhe ne vetë kemi pasur rastin t’i shohim nga afër këto vepra origjinale. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 20 tetor”, shprehet Hafizi.

Top Channel