Basha: Ekonomia e vendit vazhdon të tkurret e të dobësohet

31/08/2016 00:00

Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkruar se shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas tij, kanë konfirmuar se kreditimi i ekonomisë në korrik 2016 ra 0.3% krahasuar me një vit më parë.

“Kjo ka ardhur si pasojë e uljes me 1.7% të kreditimit për bizneset. Krahasuar me një vit me parë, por edhe nga muaji në muaj situata vjen në përkeqësim. Gjatë muajit korrik kreditimi ra me 0.5% krahasuar me muajin qershor, dhe kjo si pasojë e uljes me 1.2% të kreditimit të bizneseve. Rënia e kreditimit do të thotë rënie e investimeve, më pak vende pune, më pak konsum, më pak prodhim. Të gjitha shenja se ekonomia dhe biznesi kanë hyrë në ciklin e zi të krizës së madhe. Vetëm në muajt maj dhe qershor 4 mijë biznese ndaluan aktivitetin. Rënia e kreditimit është sinjali më i fortë i mosbesimit dhe panikut që ka mbërthyer ekonominë e biznesin”, shkruan Basha.

Lideri i opozitës thekson se Ekonomia e biznesi i ndershëm është drejt falimentimit. “Ekonomia dhe biznesi sigurisht do të njohin rënie e zvogëlim, sepse duhet të përballojnë dy realitete të paligjshme, ekonominë e biznesin e korrupsionit qeveritar dhe ekonominë e biznesin e drogës. Ekonomia e biznesi i ndershëm është drejt falimentimit sepse të gjithë tenderat, koncesionet, pasuritë e paratë e shqiptarëve i marrin një grusht oligarkësh, që janë fitues të paracaktuar si miq të Edi Ramës. Kryeministri vazhdon të krihet para kamerave, ndërkohë që ekonomia e biznesi i vendit po shkrumbohen”, shkruan Basha.

Top Channel