Ahmetaj: “Bankers” nuk e cënon buxhetin. Do të ulim borxhin

31/08/2016 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi se vendimi i audituesit ndërkombëtar, që i dha të drejtë “Bankers Petroleum”, nuk do të prekë treguesit e buxhetit.

“Nuk do të ketë asnjë cënim të deficitit buxhetor. Nuk do të ketë asnjë cënim të balancës primare. Kjo qeveri, me operacionet e saj nuk do të krijojë asnjë borxh të ri, përkundrazi do të vazhdojë këtë vit, për herë të parë pas shumë vitesh, të ulë borxhin publik”, tha Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se qeveria ka një plan të qartë për të amortizuar faturën 57 milionë dollarëshe pa cënuar financat publike.

“Me kompaninë do të hyjmë në negociata për ta zgjatur në një vit e gjysmë ose dy, kthimin e vlerave të krijuara”, deklaroi Ahmetaj.

Por, veç negociatave me kompaninë, sipas Ahmetajt buxheti po përfiton edhe nga ecuria pozitive e ekonomisë.

“Të dhënat janë shumë pozitive, duke filluar që nga kreditimi për koorporatat. Ka një rritje të ndjeshme dhe të konsiderueshme të kredisë për konsum, që është reflektuar edhe në rritjen gjatë 3 tremujore radhazi të konsumit”, shtoi më tej Ahmetaj.

Ndërkohë që në pjesën e mbetur të vitit, rritja ekonomike – sipas Ahmetajt – do të ndihmohet edhe nga investimet e huaja.

“Bankers-i ka qenë një kompani që investonte shumë pak gjatë dy viteve të fundit, në tremujorin e katërt të këtij viti do të kërcejë me gati 40 milionë dollarë investime. E njëjta gjë ndodh me Shell-in, me TAP-in apo me investime private të huaja dhe vendase, që pasi kanë kaluar periudhën e përgatitjes së projektit, janë në materializimin e tyre”, përfundoi ministri Ahmetaj.

Top Channel