Në pritje të samitit të G20-s në shtator, një grup artistësh në qytetin lindor kinez të Hangzhousë vendosën ta kremtojnë ndryshe këtë event, e me qëllimin të dërgojnë mesazhin se ekonomia globale është e lidhur fort, kanë krijuar skulptura prej argjili për udhëheqësit pjesëmarrës.

U deshën 4 muaj për të përfunduar punën e nisur. Atë që rezultoi në fund, njëri prej artistëve Wu Xiaoli e përshkroi si “ëndrrën e një paqeje botërore”.

“Duke qenë se samiti i G20-s do të mbahet këtë herë në Hangzhou, menduam t’i bashkonim krerët duke i vendosur secilit në dorën e majtë lulen kombëtare të Kinës, e në dorën e djathtë lulen që shihet si simbol i vendit të tyre”, tha Wu.

Tema e skulpturave përputhet me atë të samitit, që është ndërtimi i një ekonomie inovative, të fuqizuar, të ndërlidhur e gjithëpërfshirëse.

“Drejtuesit po qëndrojnë të gjithë mbi hartën e botës. Kjo është ajo që duam të themi, ne shpresojmë që të gjithë udhëheqësit të mund t’i mendojnë e t’i shohin gjërat nga perspektiva globale. Urojmë që vendet të përparojnë së bashku, të zhvillohen së bashku e të kenë fate dhe interesa të përafërta”, tha më tej Wu.

Skulpturat e argjiles janë një formë tradicionale arti në Kinë me një histori mijëravjeçare dhe në vitin 2016 u listuan si pjesë e trashëgimisë së pasur kulturore të vendit.

Top Channel