Francë, ish-ministri i Ekonomisë: Nga “ishulli” dua të dal në “det”

31/08/2016 00:00

Krenar dhe i trishtuar. Kështu është ndierë ish-ministri francez i Ekonomisë, Emanuel Macron, në momentin që i ka dorëzuar frerët e institucionit që drejtonte ministrit të ri të Financave, Michel Sapin.

Por, duke cituar romancierin francez Marcel Pagnol, 38-vjeçari këmbënguli se duhet të dalë në det. Nëse dikush kërkon ta bëjë një gjë të tillë pa rrezikun e fundosjes, duhet të blejë një ishull e jo një anije, u shpreh ndër të tjera ai.

“Ministria e Financave është një ishull i shkëlqyer. Isha shumë krenar që punova në të. Është një prej atyre ishujve kyçe të arkipelagut që formojnë shtetin, megjithatë unë duhet të dal në det me një varkë më të brishtë, por me një drejtim të përcaktuar dhe me vullnetin për të marrë parasysh rrezikun”, tha Emanuel Macron, ish-ministër Ekonomie në Francë.

Dorëheqja, siç sqaroi edhe vet ai, erdhi si pasojë e nevojës për të punuar mbi propozimet e transformimit të Francës. Deklarata zyrtare nuk i frenoi megjithatë spekulimet se, përmes kësaj lëvizjeje, ish-bankierit i hapet rruga e kandidimit në zgjedhjet presidenciale, duke e trazuar kështu edhe më shumë garën për çelësat e “Elizesë”.

Macron, i cili më parë ka qenë edhe këshilltar i Hollande, u emërua para dy vitesh në mënyrë të papritur si ministër i Ekonomisë dhe ka ndjekur një politikë reformuese miqësore ndaj sipërmarrjeve. Vetëm se linja social-liberale e ka acaruar shumë herë një pjesë të të majtëve. Liberalët nga ana e tyre e konsiderojnë si njeriun që sulmoi parimet bazë të socializmit francez, siç është java me 35-orë pune.

Top Channel