Juve, siguron Witsel nga Zenit

31/08/2016 00:00

Juventus bën një tjetër goditje në merkaton e transferimeve. Bardhezinjtë kanë mundur të gjejnë marrëveshjen me Zenit për blerjen e kartonit të Axel Witsel, i cili mendohet se do të zëvendësojë Paul Pogba të transferuar te Manchester United.

Kalimi i mesfushorit të përfaqësueses belge u arrit pas bisedimeve  intensive mes drejtuesve të Juventusit dhe atyre të klubit rus me këta të fundit që pranuan të lejojnë largimin e Witsel në drejtim të Torinos për një vlerë prej 18 milionë euro.

Transferimi i Witsel te Juventus ishte çështje orësh, madje vetë trajneri Lucescu e kishte pohuar mundësinë e realizimit të këtyre tratativave duke iu referuar edhe largimit të mundshëm të Garaj. “Janë futbollistë me vlera që Zenit i mori përpara 3-4 vitesh duke shpenzuar shuma të mëdha”, ishte deklarata e Lucescut. “Por këto lëvizje prekën rregullin e Fair Play Financiar. Duke lejuar largimin e tyre do të mund të sigurojmë fonde për të bërë blerje të reja”.

Top Channel