Britani, May mbledh kabinetin për të diskutuar mbi “Brexit”

31/08/2016 00:00

Kryeministrja britanike Theresa May, pas pushimeve verore ka thirrur në një mbledhje kabinetin e saj qeveritar, teksa në qendër të diskutimeve do të jetë pikërisht diskutimi mbi mënyrën sesi Britania e Madhe do t’i përqaset procesit të largimit nga Bashkimi Europian, si dhe përcaktimi i objektivave për negociatat e ardhshme.

Ministrat më në zë të kabinetit të ri qeveritar pritet të debatojnë pas raportimeve për tensione dhe prioritete të ndryshme mes figurave kyçe. Mes të pranishmëve do të jenë edhe Davis Davis, Boris Johnson dhe Liam Fox, departamentet e të cilëve janë më të fokusuarat te çështja e “Brexit”-it.

May ka bërë të ditur se bisedimet me BE-në nuk pritet të fillojnë këtë vit, ndërkohë që i ka kërkuar çdo anëtari të kabinetit të saj përpara pushimeve të identifikojnë ato që janë përshkruar si “oportunitete” të kabineteve të tyre, e tashmë pret prej tyre raportet.

Kryeministrja britanike ka deklaruar se qeveria e saj nuk do ta aktivizojë “nenin 50”, mekanizmin zyrtar për nisjen e procesit të ndarjes, më së paku deri në fillim të vitit të ardhshëm. Prej atij momenti, diskutimet mbi kushtet e largimit të vendit ishullor nga BE-ja pritet të përfundojnë në dy vite, për sa kohë që 28 anëtarët e unionit nuk do të bien dakord për t’i shtyrë ato.

Britania votoi në favor të largimit nga BE-ja me 51.9 për qind të votave në referendumin e 23 qershorit, ndërsa Theresa May, e cila mori frerët e drejtimit të vendit menjëherë pas largimit të David Cameron, ka këmbëngulur se “Brexit do të thotë Brexit”.

Megjithatë, marrëdhëniet që ishulli britanik do të ketë me BE-në pas mëvetësimit, sa i përket qasjes në tregun e përbashkët europian apo detyrimeve në lidhje me lëvizjen e lirë, mbeten ende të paqarta.

Takimi i kësaj të mërkure në rezidencën e kryeministres “Chequers” shihet si një mundësi për Mayn dhe ministrat e saj për të biseduar për një sërë çështjesh, kjo edhe për shkak se në fundjavë do të mbahet një samit i udhëheqësve të G20-s në Kinë.

May, e cila ka zhvilluar së fundi bisedime kokë më kokë me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Italisë, Irlandës, Polonisë dhe Sllovakisë, që prej marrjes së detyrës, ka thënë se nevojitet kohë për të përcaktuar strategjinë e Britanisë, pasi “një largim i ndjeshëm dhe i rregullt” është në interesin kombëtar.

Megjithatë, disa prej figurave më të larta mes konservatorëve kanë paralajmëruar kundër vonesave të panevojshme dhe se asgjë nuk duhet të pengojë rrugëtimin e Britanisë drejt aktivizimit të “nenit 50” sa më shpejt të jetë e mundur gjatë vitit të kaluar.

Top Channel