Dibër, kandidati i majtë, takime me fermerë në Melan

31/08/2016 00:00

Fushata e kandidatit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Dibrës, Muharem Rama vijoi në fshatin Grevë të njësisë administrative Melan, ku u zhvillua një takim me fermerë të zonës në një plantacion mollësh. Kandidati Rama u ndal tek programi për rritjen e subvencioneve në bujqësi e blegtori, investimet në vaditje e kanalizime, ashtu sikurse edhe për regjistrimin e fermave.

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se tanimë është mekanizmi i duhur që ata të përfitojnë kredi investimi me subvencionim nga Buxheti i Shtetit: “Është fondi i garancisë që kemi bërë me BERZH-in, që jep mundësi për kredi të vogla apo edhe të mëdha. Kredi me interes të subvencionuar nga Buxheti i Shtetit, pa kolateral në mënyrë që të zhvillohen fermat e vogla apo të mëdha, qoftë bujqësore apo qoftë blegtorale. Mos harroni edhe një element tjetër, ato ujëmbledhësa deri më dje nuk dihet se kush i ka patur, nuk dihej se kush kujdesej. Sot, e ka me përgjegjësi qoftë ligjore e qoftë financiare bashkia. Bashkia e Dibrës, por edhe gjithë bashkitë e Shqipërisë, këtë vit që vjen marrin gati 25 milionë dollarë më shumë se ç’kanë marrë vitin e kaluar”.

Ndërkaq, ministri Ahmetaj u ndal edhe tek debati mbi Rrugën e Arbrit, duke konfirmuar se qeveria e majtë është e vetmja që e ka marrë seriozisht këtë çështje: “Mos harroni se është një premtim prej 20 vitesh që për herë të parë konsiderohet si një projekt serioz në tryezë të qeverisë. Unë nuk kam nevojë ta përsëris, por e kam me shumë dëshirë ta theksoj se kjo qeveri ka për ta bërë rrugën e Dibrës, në daç Rrugën e Arbrit, në daç rrugën nga Librazhdi”.

Koordinatori socialist për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri komentoi premtimet e kandidatit të opozitës për pagesën e faturave të energjisë së qytetarëve përmes buxhetit të bashkisë: “E kam dëgjuar kandidatin tjetër që bën premtime që nuk i mban dot e që janë thjesht mashtrime. Dibranët e kuptojnë shumë mirë se sa ke mundësi. Thotë tani se unë do t’u paguaj energjinë elektrike me buxhetin e bashkisë. Kjo është një gënjeshtër, një mashtrim i gjallë. Kjo tregon se ti nuk ke asnjë program për Dibrën e jep premtimet që i ka në dorë qeveria qendrore”.

Top Channel