Siri, vritet në Aleppo zëdhënësi i ISIS-it, al-Adnani

30/08/2016 00:00

Media e lidhur me grupin xhihadist të të ashtuquajturit Shtet Islamik ka bërë të ditur këtë të martë se një zëdhënës i tyre ka mbetur i vrarë në Siri.

Në deklaratën e shpërndarë nga mbështetësit e militantëve thuhet se agjencia e lajmeve “Amaq” ka raportuar se Abu Muhammad al-Adnani ka humbur jetën në qytetin e Aleppos.

Ai ka vdekur “teksa mbikëqyrte operacionet për të zmbrapsur fushatën ushtarake kundër Aleppos”, thuhet në të.

Al-Adnani është njohur më së shumti për thirrjet e tij, që nxisnin ndërmarrjen e sulmeve vetmitare, apo siç njihet ndryshe nga individë përkrahës të ISIS-it por pa bashkëpunimin me të tjerë, në vendet e Perëndimit, si dhe për retorikën e tij të pakompromistë.

Ai është dëgjuar për herë të fundit në një mesazh audio të muajit maj, teksa nxit myslimanët të kryejnë sulme në Perëndim. Al-Adnani raportohet të ketë qenë edhe një prej zyrtarëve më jetëgjatë të grupit xhihadist.

Gjithsesi, deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ai është vrarë si pasojë e luftimeve nga trupat tokësore, apo nga sulmet ajrore.

Top Channel