Francë, deklarata e kryeministrit për Mariannen “topless” shkakton debat

30/08/2016 00:00

A do të vishte Marianne, simboli kombëtar i Francës, një burkini? Me këtë pyetje retorike, kryeministri i vendit zgjodhi të shprehte qëndrimin e tij pro ndalimit të veshjes që mbulon trupin në plazh.

“Gjiri i saj është i ekspozuar, sepse kështu ajo ushqen njerëzit. Marianne nuk është e mbuluar me vello, sepse ajo është e lirë. Kjo është republika”, e mbylli Manuel Valls fjalimin gjatë një tubimi elektoral të Partisë Socialiste.

Por retorika e kryeministrit ka shkaktuar debat të menjëhershëm në Francë. Një historian tha se, përdorimi i Marianne si simbol feminist është krejtësisht i gabuar. Mathilde Larrere, një tjetër eksperte e “Revolucionit Francez” tha se gjiri i zbuluar i Marianne nuk ka të bëjë aspak me feminizmin, por është thjesht një kod artistik.

Megjithatë, analistët besojnë se Manuel Valls e bëri krahasimin qëllimisht për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila përmbysi ndalimin e burkinit nga riviera e plazheve franceze.

Edhe pse vendimi i gjykatës ka qenë i formës së prerë, Valls dhe ligjvënës të tjerë këmbëngulën se debati mbi burkinin nuk përfundon këtu.

Ndërkohë, qeveria franceze pati një ndryshim në kabinet. Ministri i Ekonomisë, Emmanuel Macron dha dorëheqjen, pasi pritet të shpallë kandidaturën si president. Bankieri 38-vjeçar ka qenë një nga zërat më kritikë në qeverinë e presidentit socialist Francois Hollande.

Ai ka vënë në pikëpyetje orarin e gjatë prej 35 orësh punë në javë dhe ka dënuar ashpër papunësinë në vend, si dhe rritjen e dobët ekonomike të Francës. Ai do të zëvendësohet nga Michel Sapin. Dorëheqja është njoftuar nga vet ish-ministri i Ekonomisë.

Top Channel