Siguracionet, kompanitë: Kemi argumente. Rritja, më e ulët se çdo shërbim tjetër

30/08/2016 00:00

Për kompanitë e sigurimeve, shkresa e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nuk urdhëron anulimin e rritjes së tarifave, por argumentimin e tyre.

“AMF është një rregullator dhe mbikëqyrës i yni për të mbrojtur qytetarët dhe në këto kushte nuk na censuron. Ajo na ka kërkuar vetëm argumentimin aktuaristik të rritjes së tarifave në shkresë. Dhe ne, këtë ia kemi çuar sot”, thotë Kadri Morina, president i “Eurosig”.

Përfaqësuesit e kompanive kanë reaguar për herë të parë edhe mbi rritjen e çmimeve. Sipas tyre, siguracionet janë rritur më pak se çdo shërbim tjetër.

“Nga viti 1990, tarifat e sigurimeve janë rritur me vetëm dy herë. Rrogat janë rritur me 30 herë. Çmimi i industrisë ushqimore me 20-fish, sikurse niveli i industrisë së shërbimeve me 30-fish”.

Kadri Morina thotë se ky shërbim kushton shumë më pak se shërbimet e tjera, edhe pse merr përsipër një risk të madh.

“Për parkingun paguhen 60 mijë lekë në vit, për lavazhin 40 mijë lekë. Për siguracionin që merr përsipër një miliard lekë dëme, paguhet vetëm 18 mijë lekë”, deklaron Morina.

Top Channel