AMF: Sigurimet e reja, të pajustifikuara. Të rikthehen tarifat e mëparshme

30/08/2016 00:00

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u ka dërguar një shkresë kompanive të sigurimit, ku u kërkon të anulojnë rritjen e çmimeve për siguracionin e detyrueshëm të makinave. Në dokumentin zyrtar, rregullatori që mbikëqyr tregun e sigurimeve vëren se, rritja e çmimeve është e paargumentuar dhe e vendosur pa zbatuar rregulloren në fuqi.

“Pasi mori në analizë të dhënat e raportuara nga të gjitha shoqëritë e sigurimit, Autoriteti arriti në konkluzionin se rritja e bërë nuk është reale dhe e mbështetur mbi baza teknike”.

Mbi këtë bazë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u ka kërkuar shoqërive që të anulojnë rritjen e çmimeve dhe të rikthejnë ato të mëparshmet.

“Si rrjedhojë, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të tarifave të reja”.

Pak ditë më parë, tarifat e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve u rritën me 20 për qind për të gjitha kategoritë e mjeteve.

Top Channel