Mustafa: Të pagjeturit, plaga më e madhe e Kosovës së lirë

30/08/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, me rastin e 30 gushtit që shënon Ditën ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, i ka përkujtuar dhe ka shprehur dhimbjen për të pagjeturit në Kosovë. Mustafa ka theksuar se, të pagjeturit janë plaga më e rëndë e shoqërisë kosovare, që nga përfundimi i luftës.

Duke shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar pa rreshtur në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, kryeministri Mustafa ka ofruar mbështetje të gjithanshme edhe për familjarët e të pagjeturve.

“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e saj do të punojnë me përkushtim maksimal në të gjitha drejtimet, me qëllim zbardhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë. Të pagjeturit janë plaga më e rëndë e Kosovës dhe dhimbja jonë me e madhe”, ka thënë Mustafa.

Më tej, kryeministri ka apeluar edhe një herë të bashkësia ndërkombëtare, që të shtojë presionin mbi autoritetet serbe, për të treguar se ku ndodhen të pagjeturit e Kosovës të cilët janë rrëmbyer gjatë luftës, e të dorëzojnë autorët e akteve kriminale gjatë asaj periudhe.

Ndërkohë, për ministrin për Kthim e Komunitete, Dalibor Jevtiç, problemi i të pagjeturve duhet zgjidhur bashkërisht. Për këtë duhet të punojnë edhe pala serbe, edhe ajo shqiptare, deklaroi Jevtiç me rastin e Ditës ndërkombëtare të të Pagjeturve.

Ministri Jevtiç përmendi faktin se, ekziston një numër i madh i rasteve të pazgjidhura të njerëzve të zhdukur, e gjithashtu faktin që lufta nuk i ka sjell kurrë asgjë të mirë askujt.

“Të dyja palët kanë humbur dhe pësuar shumëçka. Për këtë temë do të duhej të bisedohej në nivele të ndryshme, jo vetëm në kuadër të dialogut politik, por ai dialog duhet të bëhet edhe brenda vet shoqërisë civile, sepse në këtë mënyrë do të tejkalojmë një situatë të tillë, e cila është e rëndë dhe e dhimbshme. E më e rënda është se, edhe pas tërë këtyre viteve, pas konfliktit të armatosur, familjarët e të zhdukurve nuk e dinë se ku janë varret e më të dashurve të tyre” nënvizoi Jevtiç.

Top Channel