Demarkacioni, Veseli takohet me ambasadorët e “Quint”-it

30/08/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur në një takim ambasadorët e vendeve të “Quint”-it, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Kryeparlamentari Veseli i ka falënderuar ambasadorët për mbështetjen e vazhdueshme, që shtetet e tyre po i japin qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të ‘Quint’-it ritheksova përkushtimin tonë institucional për rrugën drejt integrimit euroatlantik. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj janë të sigurta dhe nuk lejojnë që përmes dhunës t’iu ndryshohet orientimi i tyre politik. Demarkacioni dhe temat e tjera me rëndësi për Kosovën do të trajtohen në bazë të ligjeve të Kosovës dhe në bazë të procedurave demokratike. Vullneti ynë për të ecur përpara është i pacënueshëm. Jemi falënderues ndaj miqve, që na ndihmojnë në këtë rrugëtim”, ka thënë kryetari Veseli.

Në këtë takim, ambasadorët e vendeve të “Quint”-it konfirmuan edhe njëherë mbështetjen për shtetin e Kosovës dhe institucionet në punën e tyre, duke i dhënë mbështetje të gjitha proceseve demokratike në përmbushjen e agjendës politike për zhvillimin e vendit dhe integrimin në institucionet atlantiko-veriore.

Top Channel