Opozita e pranishme në seancë, por nuk do të votojë vettingun

30/08/2016 00:00

Ndryshe nga sa ishte menduar, seanca e jashtëzakonshme nuk do të jetë një seancë maratonë pasi demokratët e kanë tashmë një qëndrim zyrtar, nuk do ta bojkotojnë atë por as nuk do të votojnë për ligjin e vettingut në formën e tij aktuale.

Për PD, vetting-u i miratuar vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin e Reformës në Drejtësi është antikushtetues. Në orën 17:00 demokratët do të jenë të pranishëm në sallë, ku qëndrimin do ta shprehë kreu i Grupit Parlamentar, Edi Paloka e ku pritet që pak deputetë të flasin në emër të demokratëve.

Por në mbledhjen e mesditës me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar, burime thanë për Top Channel se Lulzim Basha këmbëngul për të mos pranuar një ligj për vettingun pa konsesus, e që sipas opozitës është hapur në kundërshtim me Kushtetutën.

Për kryeopozitarin procesi i vettingut, duhet të jetë një proces ligjor dhe jo politik, për këtë të fundit akuzon mazhorancën, edhe për faktin që nuk ka dalë me asnjë argument kundër verëjtjeve dhe propozimeve të ekspertëve të PD.

Në tryezën e punës të Komisionit të Posacëm të Reformës në Drejtësi janë 75 amendamente të demokratëve për 7 ligjet kryesore, asnjë prej të cilave nuk është marrë parasysh.

Sipas kryetarit Basha, projektligji në formën që do të kalojë sot në Parlament, është në shkelje të Kushtetutës së re të miratuar në të gdhirë të 22 korrikut.

Duket se të gjitha gjasat janë që sot mazhoranca ta kalojë e vetme ligjin për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë. PD do të këmbëngulë për konsesus në të kundërt, ashtu siç Top Channel paralajmëroi një ditë më parë, do të mbajë të hapura mbi tryezë dy opsione, rrëzimin në Gjykatë Kushtetuese ose t’i kërkojë një opinion Komisionit të Venecias.

Top Channel