Përfaqësuesja e Kosovës, Vokrri-Xhaka, luftë jashtë fushe

29/08/2016 00:00

Koha do të tregojë nëse dikush prej tyre ka patur të drejtë, por ndërkohë dëshira e tifozëve të Kosovës për të patur në gjirin e përfaqësueses së sapoformuar një yll si Granit Xhaka, frenohet përkohësisht.

Kreu i FFK, Fadil Vokrri dhe babai i mesfushorit të Arsenalit kanë shfaqur qëndrime të ndryshme në publik mbi mundësitë dhe procedurat që Graniti Xhaka të vishet me fanellën e Kosovës ndoshta duke nisur nga shtatori.

Kosova është njohur zyrtarisht para Europianit 2016 dhe FIFA mund të nxjerrë pengesa për ata lojtarë që janë impenjuar me një tjetër kombëtare në turneun e verës, si në rastin e Xhakës, Shaqirit apo Behramit, por ndërkohë FFK qartëson pozicionin.

“As mua personalisht as ne si Federatë nuk na ka ardhur asnjë kërkesë nga Ragip Xhaka. Por edhe nëse na kishte ardhur një kërkesë e tillë ne sigurisht që nuk do të bisedonim me Federatën e Zvicrës sepse normalisht ata që nuk do të pranonin të jepnin lojtarët e tyre. Këtë çështje ata duhej ta zgjidhin me FIFA-n duke i bërë kërkesë sepse vullneti jonë sigurisht ishte i madh që ata të luajnë me Kosovën”, tha kreu i FFK.

Ndërkohë, babai i vëllezërve Xhaka, ka thënë se FIFA nuk ka lejuar që djemtë e tij të vijnë të luajnë për Kosovën dhe kjo punë tashmë është e mbyllur. Ai tha se lojtarët e Zvicrës kanë status special në FIFA dhe emrat janë dorëzuar para 15 ditësh.

Së fundmi Përparim Hetemaj i Finlandës dhe Valon Berisha i Norvegjisë, kanë kërkuar që të luajnë në eliminatoret e botërorit me përfaqësuesen e Kosovës.

Top Channel