Hiqet kufizimi për mishin, pas vaksinimit sëmundja nuk konsiderohet më rrezik

29/08/2016 00:00

Ministria e Bujqësisë thotë se pas vaksinimit të një pjese të madhe të kafshëve që rrezikoheshin nga sëmundja e dermatozës nodulare, ka vendosur lehtësimin e mëtejshëm të masave që kufizonin lëvizjen e tyre.

“Janë reduktuar masat shtrënguese të bllokimit total të lëvizjes së kafshëve të gjalla të llojeve gjedh duke lejuar lëvizjen e tyre në drejtim të një thertoreje të përcaktuar brenda qarkut të origjinës së tyre”,  shprehet Edi Ferro, Dr. i Shërbimit Veterinar.

Kreu i Shërbimit Veterinar thotë se lëvizja e kafshëve do të monitorohet nga drejtoritë e bujqësisë në qarqe. Ndër to,  3 qarqet më të prekura janë Dibra, Kukësi dhe Librazhdi.

“1437 kafshë rezultuan të prekura, ndërsa 190 kafshë janë asgjësuar”, tha Ferro.

Zoti Ferro thotë se kafshët e asgjësuara do të kompensohen në natyrë, përmes kafshëve të tjera të gjalla.

“Mund të jenë nga një shtet ku racat janë të përshtatshme me kushtet shqiptare si Austria”, tha Ferro.

Referuar mishit të importit, Ferro thotë se gjatë këtyre muajve nuk rezulton rritje e sasisë së importuar sipas doganave, ndërsa mungesat janë kompensuar me produkte të tjera zëvendësuese si mishi i pulës. 

Top Channel