PD: Ç’lidhje ka Damian Gjiknuri me Dibrën?

29/08/2016 00:00

Partia Demokratike është ndalur tek koordinatori i Partisë Socialiste për fushatën e Dibrës. Përmes shefit të shtabit elektoral në zgjedhjet për këtë bashki, opozita sulmoi Damian Gjiknurin.

“Çfarë lidhje ka Damian Gjiknuri me Dibrën? Gjobat e energjisë?! Prerjen e dritave për ata që nuk paguajnë dot?! Faturat abuzive të energjisë që po u rrjepin edhe qindarkën e fundit?! Mungesën e energjisë në pjesën më të madhe të Dibrës, apo kërcënimin, energji në këmbim të votës?!”, deklaroi Edi Paloka.

Partia Demokratike thotë se “deputetët e saj janë atje në respekt të qytetarëve dibranë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Janë atje në respekt të traditave dhe qytetarisë dibrane ndryshe nga rilindja që kërkon ta lërë Dibrën e dibranët peng të mafias, që së fundmi ka zbarkuar në Dibër me bekimin e Edi Ramës.  E gjithë Dibra e di që Muharemi asnjë synetllik nuk bën dot më pa marrë leje tek mafja që e ka kapur për veshi, e jo më të drejtojë një bashki.  Të gjithë ramët, i madhi dhe i vogli, e dinë që Dibra ua ka vënë vizën, ndaj kanë  sjellë çdo bandit e kriminel për t’u marrë votën”, thotë Paloka në deklaratën e vet.

Sipas opozitës, dibranët as nuk shiten as nuk blihen dhe këtë do t’ia tregojnë më 11 shtator.

Top Channel