Tahiri, me gazetarin e “The Economist” në operacionin anti-kanabis, PD: Qesharake

29/08/2016 00:00

Pas statusit në “Facebook” të ministrit të Brendshëm, Tahiri, i cili njoftoi se ndoqi nga afër një operacion antikanabis me një gazetar të “The Economist” në zonën e Tragjasit në Vlorë, ka reaguar Partia Demokratike me anë të deputetit të saj Flamur Noka, i cili e cilësoi veprimin e ministrit si qesharak.

“Paska bërë Tahiri i Brendshëm ca foto me një gazetar të njohur, sikur është në krye të një operacioni antidrogë. Kjo është një nga gjërat më qesharake dhe më të pabesueshme sot në Shqipëri”, tha Noka.

Deputeti demokrat nge 10 pikë, sipas të cilit janë të vërteta e drogës dhe Tahirit.

“Dua t’i kujtoj Tahirit të Brendshëm nëse i foli gazetarit;

1-Që i ka dhënë makinën e tij private habilajve, grupit më të madh të trafikut të drogës në zonën Fier-Vlorë.

2-Që është i mërzitur kohët e fundit se prokuroria me ndihmën e partnereve i ka futur në burg kumbarin e tij Shullazi.

3-Që ka djegur laboratorin e drogës për të zhdukur provat për trafikantët e mbrojtur prej tij.

4-Që ai për interes të Edi Ramës mban llogaritë e 30 përqind të përfitimit për çdo rrënjë kanabis.

5-Që sipërfaqja e mbjellë me drogë vitin e kaluar është 5-fishuar, ndërsa këtë vit droga ka pushtuar gjithë vendin.

6-Që Shqipëria renditet e para si vend prodhues i drogës në BE.

7-Që drejtuesit e tij të policisë janë në krye të këtij biznesi, ruajnë dhe kontrollojnë këtë trafik dhe vjelin taksën 30 përqind.

8-Që çdo burim e aset bujqësor është kthyer në dispozicion të drogës.

9-Që janë të paktën 4 të vrarë në dy muajt e fundit për parcelat e drogës.

10-Që ekonomia kriminale e drogës po asfikson ekonominë e ndershme në vend”, u shpreh Noka.

Deputeti i Partisë Demokratike e përfundon reagimin e tij duke thënë se Tahiri e shfrytëzoi gazetarin për të përmirësuar imazhin e tij.

“Këto janë të vërteta e drogës dhe tahirit të brendshëm që i di mbarë opinion publik. Këto bën mirë tia thotë edhe gazetarit të cilin e shfrytëzon për të përmirësuar imazhin e tij. Një përpjekje e dëshpëruar se nuk ka si të përmirësohet imazhi i një ministri të krimbur në krim e trafiqe.”, përfundon deklarata e Nokës.

Top Channel