Itali, të mbijetuarit e tërmetit do të strehohen në struktura të posaçme

29/08/2016 00:00

Italia planifikon të ndërtojë shtëpi-çadra të thjeshta prej druri brenda 3 muajve të ardhshëm, ku do të strehohen 2.500 personat e mbetur të pastrehë që prej tërmetit vdekjeprurës të 24 gushtit.

Media italiane thotë se strukturat, të përdorura edhe në Onna pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2009, janë më të preferuara në krahasim me tendat që po përdoren momentalisht, apo kontejnerë maunesh të konvertuara si ambiente strehimi.

Tërmeti 6.2 ballësh i të mërkurës së kaluar shkretoi Amatricen dhe dy qytete të tjera në rajonin malor në verilindje të Romës. Prej tij mbetën rreth 290 persona të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur.

Kryeministri Matteo Renzi diskutoi planet për ndërtimin e tyre gjatë së dielës me Renzo Pianon, një prej arkitektëve më të njohur në vend. Autoritetet italiane përballen me sfidën e ofrimit të sigurisë për të mbijetuarit, si dhe akomodimin e domosdoshëm, përpara se të vijë dimri në një rajon ku i ftohti është tepër i ashpër.

Gazeta italiane “Corriere della Sera” raporton se shtëpitë e drunjta do të ngrihen shumë pranë shtëpive të shkatërruara të të mbijetuarve, pasi kështu kërkon shumica e tyre, pra që të mos largohen nga vendbanimet e tyre.

Pavarësisht ngritjes së kampeve me çadra, disa të mbijetuar preferojnë ende të flejnë nëpër makinat e tyre pranë shtëpive, me frikën se hajdutët mund të vjedhin edhe atë çfarë ka mbetur nga pasuria e tyre mes rrënojave.

Kur moti të ftohet, njerëzve të prekur do t’u ofrohen dhoma të përkohshme në hotelet buzë detit, përpara se të lëvizin në shtëpitë e drunjta, bëri të ditur kryebashkiaku Sergio Pirozzi. Këto shtëpi do të kenë një apo dy dhoma gjumi, një kuzhinë dhe një tualet, e për këtë do të kapin një kosto prej afro 1.400 eurosh për metër katror.

Top Channel