Protestë kundër bashkisë, e mbështetur nga PD

29/08/2016 00:00

Familjarë të Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që humbi jetën në landfillin e Sharrës, të mbështetur nga përfaqësues të Partisë Demokratike kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar që drejtësia të zbardhë të vërtetën dhe të ndëshkojë fajtorët.

Vëllai i Arditit, Ardjani tregon se edhe ai kishte punuar për dy muaj në landfill.

“Kam qenë edhe unë në landfillin e Sharrës, ku kam punuar për dy muaj. Punoja pa siguracion, pa veshje, pa maska, pa asgjë. Unë dua drejtësi për vëllain tim, pasi e kanë masakruar e më pas e kanë fshehur”, thotë Ardjan Gjoklaj, vëllai i Arditit.

“Të mos mundohet kush ta përgënjeshtrojë këtë rast që na ka ndodhur neve, me 5 vrasje në familje. Mirë që na kanë vrarë djalin, por edhe kanë mbuluar krimin”, shprehet Fran Gjoklaj, xhaxhai i Arditit.

Përfaqësues të Partisë Demokratike akuzuan se pronari i kompanisë, e cila është përzgjedhur për përpunimin e mbetjeve në Sharrë, mbrohet nga qeveria.

“Në emër të Partisë Demokratike ne jemi sot këtu për t’i mbështetur familjarët e Arditit, për të mbështetur një kauzë, që do të jetë themeli për drejtësinë e shoqërisë shqiptare, por edhe për të garantuar jo vetëm familjarët, por edhe qytetarët e të gjithë Shqipërisë, se ky vend nuk do të gjejë qetësi derisa Arditi të marrë drejtësinë e merituar. Ne do të bëjmë çdo përpjekje”, tha Ervin Salianji, sekretar për Aksionin Qytetar në PD.

Ardit Gjoklaj, 17-vjeçari nga Tropoja humbi jetën natën e 6 gushtit, teksa ishte duke punuar në landfillin e Sharrës për të siguruar të ardhura për të blerë librat për vitin e ri shkollor.

Top Channel