Helikopterë kundër zjarreve, Emergjencat kërkojnë blerjen e mjeteve

29/08/2016 00:00

Zjarret e ditëve të fundit në disa zona pyjore të vendit treguan edhe njëherë vështirësinë që hasin autoritetet për t’i shuar ato. Në këto kushte, në ndimë na erdhi një helikopter privat i kontraktuar nga qeveria.

Por drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi thotë për Top-Chanel se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një flotë të saj për luftën ndaj zjarreve.

“Ministria e Mbrojtjes ka kapacitete dhe ka helikopterë, por nuk ka të përshtatur kitin operacional për të luftuar zjarrin në pyje. Edhe një helikopter që ka e ka në minimumin e mundshëm të kapaciteteve, të papërfillshëm për të fikur zjarrin. Shteti shqiptar duhet të investojë dhe të ngrejë një flotilje për luftimin e zjarrit nga ajri”, deklaron Prençi.

Sikur të mos mjaftonte mungesa e kapaciteteve në mjete, problem mbetet edhe bashkëpunimi mes institucioneve.

“Ministria e Mjedisit në të gjitha zjarret që kanë ndodhur nuk është dukur fare. Unë nuk e kam kontaktuar dhe nuk kam parë një punonjës të saj që të merret me zjarrin. As Bashkia e Shkodrës nuk më kanë kontaktuar fare, nuk ka kërkuar mbështetje operacionale as nga toka e as nga ajri. Nuk jam që zjarrfikësit e Shkodrës të rrinë në repart e të mos lëvizin, apo të rrinë në rrugët e Velipojës dhe të presin që të shkojnë nga Tirana për ta shuar zjarrin”, shton Prençi.

Prençi i bën apel edhe prokurorisë që të thellojë hetimet, pasi në Shëngjin janë gjetur flakadan, çka dëshmon se zjarret kanë qenë të qëllimshme.

Top Channel