“Vettingu” nën vettingun e PD, opozita: 7 pikat ku shkelet Kushtetuta

29/08/2016 00:00

Një ditë para seancës së të martës, ambasadori amerikan Donald Lu është vënë sërish në lëvizje. Ai vizitoi mesditën e të hënës selinë e PD, në një takim për rreth 60 minuta me kryetarin Basha. Menjëherë më pas u mor vesh se një dokument i ri kishte dalë nga zyrat e opozitës dhe ishte dorëzuar në Parlament.

Në draftin e dorëzuar në Kuvend nga deputeti Arben Ristani, vetëm pak orë përpara seancës së jashtëzakonshme parlamentare, saktësohen pikat më të rëndësishme, të cilat sipas demokratëve, janë antikushtetuese e që janë diskutuar pa praninë e opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Për PD, ligji i vettingut në formën aktuale dhe pa vërejtjet e opozitës shkel të paktën 7 parime të Kushtetutës dhe amendamentet e saj synojnë ta vendosin procesin e vettingut në “shinat kushtetuese”.

Sipas argumentimit të opozitës, janë shtatë pika që i hapin rrugë kontrollit të Qeverisë mbi organet e reja të drejtësisë, siç janë ILDKPKI apo DSIK, organet e reja të vettingut si komisionerët publikë apo Kolegji i Apelimit.

Teksti i projektligjit nuk detajon, sipas PD, procedurën e përzgjedhjes e emërimit të anëtarëve të organeve të vettingut si dhe procesin e vlerësimit të kandidatëve. Për opozitën projektligji aktual për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka probleme të mëdha e shkel hapur Kushtetutën.
PD mund ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, nëse ai miratohet në mënyrë të njëanshme, por paralelisht për këto amendime, Top Channel ka mësuar se PD mund të kërkojë edhe një opinion nga Komisioni i Venecias.

Top Channel