Gjermani, zhdukja e refugjatëve të mitur pëson rritje

29/08/2016 00:00

Zhdukja e refugjatëve në moshë të mitur po bëhet një fenomen shqetësues në Gjermani. Sipas Policisë Federale, rreth 9.000 fëmijë e të rinj të pashoqëruar janë raportuar të zhdukur, dyfishi i shifrës së raportuar në muajin janar.

Edhe pse shumë prej të zhdukurve janë adoleshentë, 876 vlerësohet të jenë nën moshën 13-vjeçare. Ekziston frika se emigrantët e rinj të pashoqëruar janë mjaft të ekspozuar ndaj bandave kriminale, e megjithatë, Policia Federale sqaron se nuk ka prova konkrete lidhur me këtë.

“Në shumë raste bëhet fjalë për fëmijë, që pasi mbërrijnë këtu, shkojnë te të afërmit e tyre në qytete të tjera gjermane, madje edhe shtete të tjera”, thotë një zëdhënës i policisë për një gazetë vendase.

Autoriteti policor bën të ditur se rritja e numrit mund të shpjegohet pjesërisht me regjistrimin e disa të rinjve më shumë se një herë nga autoritetet gjermane, për shembull kur lëvizin në një zonë të re në vend.

Në muajin shkurt, agjencia policore europiane “EUROPOL” vlerësoi se, të paktën 10 mijë refugjatë të pashoqëruar ishin zhdukur pas mbërritjes në Europë, e së fundmi shifrat besohet të jenë shumë më të larta.

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë paralajmëroi disa muaj më parë se të mitur të pashoqëruar nga zonat e konfiktit ishin mes grupeve më vulnerabël të refugjatëve. Ata dërgohen fillimisht në Europë nga prindërit, që planifikojnë t’u bashkohen pak më vonë, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj kriminelëve.

Top Channel