Kosovë, kreu i KFOR-it: Situata e sigurisë, e qetë por e brishtë

29/08/2016 00:00

Me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it, gjeneral-major Guglielmo Luigi Miglietta mbajti një konferencë për shtyp lidhur me aktivitetet e “KFOR XX” të ndërmarra gjatë mandatit të tij. Miglietta ka vlerësuar sigurinë në vend, duke thënë se situata në Kosovë është e qetë, por e brishtë.

Ai ka dënuar ngjarjet e një dite më parë në Mushtisht, teksa tha se të tilla ngjarje nuk e çojnë Kosovën askund, përveçse krijojnë një njollë të zezë mbi vendin.

Komandanti në largim ka dënuar edhe sulmet e fundit ndaj Kuvendit të Kosovës, RTK-së, si dhe sulmin e fundit ndaj shtëpisë së drejtorit të televizionit publik, Mentor Shala.

Duke folur për protestën e 1 shtatorit, e cila pritet të mbahet për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, Miglietta tha se KFOR-i është reaguesi i tretë pas Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it. Ndaj – sipas tij, – KFOR-i është i gatshëm të reagojë nëse është e nevojshme.

I pyetur nga gazetarët për demarkacionin me Malin e Zi, ai tha se kjo është një çështje e brendshme e vendit, por theksoi se në mars të këtij viti, me kërkesën e ish-presidentes së vendit Atifete Jahjaga, KFOR-i ka ofruar hartat e kufijve të Kosovës.

Top Channel