Kosovë, qytetarët e Rugovës marrin përsipër sulmin ndaj Mentor Shalës

29/08/2016 00:00

Qytetarët e Rugovës kanë marrë sërish përsipër sulmin ndaj shtëpisë së Mentor Shalës. Një person i identifikuar me emrin “dërguesi” ka dërguar një “e-mail” në redaksinë e “Telegrafit”, ku thuhet se qytetarët e Rugovës marrin përsipër sulmin ndaj drejtorit të RTK-së, Mentor Shala.

Adresa “e-mail” me të njëjtin emër ka marrë përsipër edhe sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, Murat Mehës, RTK-së dhe tashmë edhe atë kundër drejtorit të RTK-së. Në “e-mail” thuhet se sulmi ndaj Shalës ishte veçse një paralajmërim dhe më tej thuhet se, nëse ai nuk jep dorëheqje nga RTK-ja, jeta e tij është në rrezik.

Ja njoftimi i plotë i tyre:

“Sulmi ndaj Mentor Shalës ishte veë paralajmërim. Nëse ai njeri nuk jep menjëherë dorëheqje prej RTK-së, jeta e tij është në rrezik. Aj njeri e ka bërë RTK-në televizion që i mban anën veç qeverisë. Ai nuk po e nxjerr opozitën, veçse kur flet kundër demarkacionit. Sidomos Vetëvendosjen, së cilës i ka ndaluar edhe intervistën që ka dhënë. I bëjmë thirrje qeverisë të na marrë seriozisht dhe të mos e ratifikojë demarkacionin, përpara se të ketë viktima”.

Ndërkohë, sulmi ndaj kreut të RTK-së është dënuar ashpër nga Qeveria e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Sindikata e pavarur e RTK-së.

Top Channel